Lidhje


Alarmante në Kosovë: Çdo ditë 10 persona diagnostikohen me kancer, mbi 3,700 raste të reja brenda vitit!

 

Shifra shqetësuese janë publikuar për rastet me kancer në Kosovë. Sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, që do të thotë se mesatarisht 10 persona në ditë janë diagnostikuar me këtë sëmundje.

 

Krahasuar me vitin 2012, kur ishin raportuar 1,588 raste, numri i rasteve të reja të regjistruara është më shumë se dyfishuar.

Sipas të dhënave, nga rastet e reja, 1,927 janë gra dhe 1,848 burra. Te gratë, kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri, me 592 raste, prej të cilave 206 janë diagnostikuar te gratë nën moshën 50-vjeçare.

 

Edhe më shqetësues është fakti se kjo sëmundje nuk po kursen as fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2025, në Kosovë janë diagnostikuar me kancer 52 fëmijë dhe adoleshentë deri në moshën 19-vjeçare, mesatarisht një rast në javë.

 

Te burrat, ndër format më të shpeshta janë kanceri i mushkërive dhe ai i fshikëzës urinare, ndërsa duhanpirja konsiderohet një nga faktorët kryesorë të rrezikut.

Ekspertët theksojnë se duhanpirja, ndotja e ajrit, faktorët gjenetikë dhe mënyra e jetesës mund të ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të kancerit.

 

Megjithatë, një pjesë e rritjes së rasteve të raportuara mund të lidhet edhe me përmirësimin e diagnostikimit dhe raportimit. Sipas raportit, jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rastet, prandaj shifrat mund të mos pasqyrojnë plotësisht situatën reale.

Këto të dhëna rikthejnë vëmendjen te rëndësia e kontrolleve të rregullta shëndetësore, diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjeve malinje në Kosovë.


Djali i emigrantëve egjiptianë synon të bëjë histori në SHBA: Kush është Abdul El-Sayed, myslimani që mund të hyjë për herë të parë në Senat?

 

Një mjek me origjinë egjiptiane, mysliman dhe përfaqësues i krahut progresist të demokratëve amerikanë, mund të shkruajë historinë politike të Shteteve të Bashkuara. Abdul El-Sayed, 42 vjeç, garon për një vend në Senatin amerikan nga shteti i Michiganit dhe, nëse fiton zgjedhjet e 3 nëntorit, do të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e vendit.


I lindur në Michigan, në një familje me rrënjë egjiptiane, El-Sayed është mjek dhe ish-drejtues i shëndetit publik në Detroit. Ai ka ndërtuar profilin e tij politik mbi premtimet për kujdes shëndetësor universal, uljen e kostos së jetesës dhe kufizimin e ndikimit të korporatave në politikën amerikane.


Por rruga e tij drejt Senatit nuk është aspak e zakonshme.
Në muajin gusht, El-Sayed fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve, duke mundur kongresmenen Haley Stevens, e cila kishte mbështetjen e figurave të rëndësishme të establishmentit të partisë. Fitorja e tij u konsiderua një sukses për krahun progresist, të përfaqësuar nga Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez.


Në mbështetje të El-Sayed është angazhuar edhe ish-presidenti Barack Obama, i cili ka regjistruar një mesazh elektoral për të dhe ka planifikuar pjesëmarrjen në një tubim në Detroit më 24 tetor. 


Megjithatë, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve, demokratët u përballën me një përçarje të pazakontë. Haley Stevens, rivalja që El-Sayed kishte mundur në zgjedhjet paraprake, njoftoi më 1 nëntor se do të mbështeste kandidatin republikan Mike Rogers.


Stevens e justifikoi vendimin me mosmarrëveshjet që kishte me El-Sayed lidhur me qëndrimet ndaj Izraelit dhe bashkëpunimin e tij me komentatorin politik Hasan Piker. Mbështetja e një republikani nga një kongresmene demokrate shkaktoi reagime të forta brenda partisë. 


Ndërkohë, El-Sayed është përballur me sulme politike që lidhen me besimin e tij fetar. Kundërshtari republikan dhe presidenti Donald Trump kanë përhapur akuza për lidhje të tij me ekstremizmin islamik, të cilat kandidati i ka mohuar.

 

Organizata për të drejtat civile i kanë kritikuar këto sulme si diskriminuese ndaj myslimanëve. 
Pavarësisht përplasjeve, sondazhet e fundit e vendosin El-Sayed përpara kundërshtarit republikan. Një anketim i New York Times/Siena, i zhvilluar deri më 1 nëntor, i jepte demokratit 53% të mbështetjes, kundrejt 42% për Mike Rogers. 


Michigan është një nga shtetet vendimtare në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët dhe republikanët përballen për kontrollin e Kongresit amerikan.
Për Abdul El-Sayed, zgjedhjet e 3 nëntorit kanë edhe një dimension tjetër: mundësinë për të thyer një barrierë historike në politikën amerikane, duke u bërë myslimani i parë që zgjidhet në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

 


Buxheti mbi 10 mld euro - Pensionet, pagat e policisë dhe investimet marrin më shumë fonde në vitin 2027

 

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon për herë të parë shpenzime publike mbi 10 miliardë euro, me fokus te pensionet, mbrojtja sociale, arsimi, shëndetësia dhe investimet publike. Ministri i Financave, Petrit Malaj, e prezantoi dokumentin në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa të ardhurat buxhetore parashikohen në rreth 9.4 miliardë euro.

 

Sipas projektbuxhetit, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 4% gjatë vitit 2026, ndërsa e njëjta normë parashikohet edhe për periudhën 2027–2029. Në gjysmën e parë të vitit 2026, rritja ekonomike arriti në 3.6%, e mbështetur kryesisht nga konsumi, investimet dhe turizmi. Ndërkohë, investimet e huaja direkte u rritën me 50.8%, duke arritur në 1.1 miliardë euro.

 

Një nga pikat kryesore të buxhetit është mbështetja për pensionistët. Nga 1 janari 2027 parashikohet dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive përkatëse, me një kosto vjetore prej 20 miliardë lekësh. Gjithashtu, indeksimi i pensioneve parashikohet të nisë në prill, në vend të korrikut, me një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh. Në total, këto dy masa do t’i kushtojnë buxhetit rreth 24 miliardë lekë, ose 250 milionë euro.

 

Projektbuxheti parashikon gjithashtu dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën pesë vjeç dhe rreth 1.3 miliardë lekë për strehimin social. Për mbrojtjen sociale janë planifikuar 279.7 miliardë lekë, rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

 

Në arsim, financimi parashikohet të arrijë në 93.7 miliardë lekë, me rritje prej 3.8 miliardë lekësh. Fondet shtesë do të përdoren për bursat e studentëve nga familjet në nevojë, përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe programin “Pas Shkollës”. Ndërsa për shëndetësinë janë parashikuar 87.2 miliardë lekë, gjashtë miliardë më shumë se financimi i mëparshëm, për barna, pajisje mjekësore dhe rehabilitimin e ndërtimin e 20 spitaleve.

 

Rritje financimi parashikohet edhe për Policinë e Shtetit. Buxheti i sektorit arrin në 36.7 miliardë lekë, ndërsa 3.3 miliardë lekë shtesë do të përdoren për rritjen e pagave të punonjësve të policisë. Mbi 8,500 punonjës me gradën inspektor parashikohet të përfitojnë rritje prej 20 mijë lekësh të pagës bazë, ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë shtesa sipas gradave.

 

Investimet publike për vitin 2027 parashikohen në mbi dy miliardë euro, ose 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Financimi do të përqendrohet te infrastruktura rrugore, ujësjellësit, kanalizimet dhe projektet energjetike. Për bujqësinë janë planifikuar 17.9 miliardë lekë, me mbështetje për fermerët, kompensimin e TVSH-së dhe përmirësimin e sistemeve të ujitjes e kullimit. Ndërkohë, buxheti i mbrojtjes parashikohet në 76.7 miliardë lekë, ose 2.35% të PBB-së.

 

Paralelisht me projektbuxhetin, qeveria ka propozuar edhe një paketë fiskale me ndryshime në tatimin mbi dividendin, të ardhurat personale, TVSH-në dhe taksat mbi automjetet. Ndër masat kryesore janë rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në pesë milionë lekë. Për 54 produkte të shportës bazë propozohet një normë e reduktuar prej 6%.

 

Në aspektin fiskal, Malaj bëri të ditur se synohet ulja e borxhit publik në 52.4% të PBB-së dhe mbajtja e deficitit buxhetor në 2.3%. Projektbuxheti synon të kombinojë mbështetjen sociale me investimet publike dhe reformat ekonomike, në funksion të objektivit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 


Vlora Hyseni do "të dalë nga shtëpia", prokurorët Altin Dumani e Bledar Maksuti kërkojnë kohë për gjyqin në Apel

 

Ish-kryespiunia e Shqipërisë, Vlora Hyseni i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme të Apelit, për lehtësim të masës së sigurisë. Ajo ndodhet aktualisht në "Arrest në shtëpi" dhe nga shkalla e dytë e drejtësisë, kërkon zbutje të masës.

 

Mirëpo, siç raportohet, seanca pritet të mos zhvillohet pasi dy prokurorët që përfaqësojnë akuzën, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti nga SPAK, kanë kërkuar më tepër kohë për të përgatitur dosjen e kundërshtimit të zbutjes së masës së sigurimit.

 

Vlora Hyseni mori drejtimin e SHISH-it në prill të vitit 2023, duke u bërë gruaja që do të drejtonte institucionin përgjegjës për informacionin dhe sigurinë kombëtare të vendit. Më herët, ajo kishte ndërtuar karrierën e saj në strukturat e inteligjencës së Kosovës dhe kishte shërbyer edhe si këshilltare për sigurinë kombëtare pranë kryeministrit Edi Rama.

 

Referuar komunikatës zyrtare të SPAK, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

 

Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.

 

Vlora Hyseni akuzohet për këto dy vepra penale dhe ndaj saj janë caktuar dy masat e sigurisë të mësipërme.


A e kërcënoi pastori për llogari të Edi Ramës? Toni Gogu takon Veliajn në burgun e Fierit dhe i kërkon dorëheqjen

 

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, ku ky i fundit ndodhet pas transferimit të papritur nga paraburgimi i Durrësit.

 

Sipas burimeve të VNA, gjatë takimit Gogu i ka kërkuar Veliajt të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Takimi merr një rëndësi të veçantë politike, jo vetëm për shkak të funksionit që mban Gogu, por edhe për mesazhin që dyshohet se i është përcjellë kryebashkiakut pas hekurave.

 

A ishte kjo një kërkesë personale e ministrit të Drejtësisë, apo Toni Gogu kishte marrë përsipër t’i përcillte Veliajt një mesazh të Edi Ramës?

 

Pyetja bëhet edhe më e fortë në kontekstin e zhvillimeve të fundit, kur transferimi i Veliajt nga Durrësi në Fier shkaktoi përplasje brenda vetë Partisë Socialiste. Vetëm pak ditë më parë, Bledi Çuçi i kërkoi llogari Gogut për procedurën e transferimit, duke shkuar deri te kërkesa për dorëheqjen e ministrit.

XS
SM
MD
LG