Lidhje


Kompania “Myrto Security” merr 2 milionë € nga qeveria

 

Pavarësisht se në qershor të vitit 2026 iu hoq licenca për shkelje të rënda të konstatuara gjatë një përplasje, kompania private e sigurisë “Myrto Security” ka arritur të marrë një pjesë të majmë nga fondet publike. Institucioni i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan njoftoi pak ditë më parë lidhjen e kontratës me bashkimin e operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për shërbimin e ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së e Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.

 

Procedura e hapur në gusht 2026 kapte një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja (rreth 1.99 milionë euro), ku kushti kryesor i pjesëmarrjes ishte pajisja me licencën 1.3 A , dokumenti zyrtar që i lejon kompanitë private të ofrojnë ruajtje fizike të objekteve dhe individëve. Absurdi i këtij tenderi qëndron pikërisht te ky kriter, pasi vetëm dy muaj më parë Policia e Shtetit i kishte hequr licencën “Myrto Security” pas ngjarjeve të rënda të regjistruara gjatë protestave.

 

Megjithatë, përmes një manovre ligjore, “Myrto Security” e kundërshtoi vendimin e heqjes së licensës në rrugë gjyqësore dhe siguroi një masë sigurimi padie, duke pezulluar heqjen e lejes dhe duke garuar lirisht në gusht 2026. Sot, e njëjta kompani që dështoi të zbatonte rregullat elementare të sigurisë dhe që u bë protagoniste e një prej ngjarjeve më makabre të dhunës, merr përsipër ruajtjen e aseteve strategjike shtetërore në Elbasan, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi ligjshmërinë e procedurës dhe mënyrën se si plotësohen kriteret në tenderët publikë.


Britania shtrëngon rregullat e emigracionit, deri në 15 vite pritje për lejen e qëndrimit të përhershëm

 

Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, pritet të bëjë sot një deklaratë për ndryshimet e reja në ligjet e emigracionit, me fokus kryesor kufizimin e kushteve dhe zgjatjen e periudhës së pritjes për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Masat, të prezantuara fillimisht në nëntor të vitit 2025, parashikonin zgjatjen e periudhës pesëvjeçare të pritjes për të përfituar statusin e qëndrimit të përhershëm (Indefinite Leave to Remain – ILR).

Ky status u jep emigrantëve të drejtën për të jetuar, punuar dhe studiuar në Britani pa kufizim kohor, si dhe mundësinë për të përfituar nga disa skema të ndihmës sociale.

 

Sipas propozimeve fillestare, punonjësit e huaj në sektorin e kujdesit social mund të përballeshin me një periudhë pritjeje deri në 15 vjet për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm. Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike, propozimet mund të zbuten dhe të përjashtojnë nga rregullat e reja punonjësit e kujdesit social që jetojnë tashmë në Britani.

 

Sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, kishte kritikuar më herët zbatimin prapaveprues të këtyre rregullave, duke e cilësuar atë si “un-British” (jo britanike), veçanërisht në rastet kur preken emigrantët që ndodhen tashmë në vend.

 

Mahmood kishte argumentuar se zgjatja e afatit për marrjen e statusit të përhershëm ishte e nevojshme për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që mbërritën në Britani në mënyrë të ligjshme dhe që po i afroheshin përmbushjes së kushteve për qëndrim të përhershëm.

 

Sipas saj, rritja e emigracionit neto pas Brexit-it, gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore, kishte krijuar një situatë që kërkonte ndryshime në sistem. Ministrja paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë taksapaguesve deri në 10 miliardë paund gjatë gjithë jetës së personave përfitues, duke iu referuar të dhënave të Komitetit Këshillimor për Migracionin (Migration Advisory Committee).

 

Në një fjalim në muajin mars, Mahmood deklaroi se Britania kishte përjetuar gjatë periudhës 2021-2024 nivele emigracioni që më parë ishin regjistruar përgjatë katër dekadave.

 

Ajo shtoi se gjatë pesë viteve të ardhshme, rreth 350 mijë punonjës me kualifikim të ulët dhe familjarët e tyre, të cilët kishin mbërritur në Britani përmes vizave të shëndetësisë dhe kujdesit social, do të përmbushnin kushtet për të kërkuar statusin e qëndrimit të përhershëm, duke fituar edhe të drejtën për të përfituar nga disa skema sociale.

 

Konsultimi publik njëvjeçar i qeverisë për reformat e propozuara ka marrë më shumë se 200 mijë përgjigje.

Deklarata e sotme e Shabana Mahmood pritet të sqarojë se cilat prej masave fillestare do të mbeten në fuqi, nëse do të ketë përjashtime për emigrantët që jetojnë dhe punojnë tashmë në Britani dhe sa do të ndryshojë periudha e pritjes për marrjen e statusit të qëndrimit të përhershëm.

 


"Ne të bardhët jemi bërë në laborator", këshilltarja e re e Ramës beson se njerëzimi lindi nga jashtëtokësorët.

 

Këshilltarja e re e Ramës për mediat, Vlerë Gjakova, e emëruar së fundmi, duket se i përket asaj shtrese të shoqërisë njerëzore që beson te alienët dhe për më tepër se ne jemi krijesa të krijuara në laborator, siç thotë në këtë pjesë të emisionit “Rrethi Katror” ku ka bërë pjesë përpara se të njihej si Vlerë e pamohueshme e qeverisjes Rama.

 

“Raca jonë e bardhë nuk është racë e tokës, por jemi bërë në laborator”- thotë Vlera e qeverisë.


Dhunoi studentët protestues, arrestohet shefi i Policisë Kriminale në Serbi

 

Kreu i Policisë Kriminale në Serbi, Marko Kriçak, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë, pas akuzave të rënda për dhunë dhe keqtrajtim të studentëve protestues, si dhe shpërdorim detyre. Sipas mediave serbe, Kriçaku dhe zëvendësi i tij, Bosko Sekuloviç, dyshohen gjithashtu për pengim dhe manipulim të hetimeve për një vrasje të lidhur me mafien.

 

Në qendër të akuzave për dhunë është një episod i gushtit 2025, kur efektivë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO), e drejtuar në atë kohë nga Kriçaku, tërhoqën zvarrë një grup studentësh dhe i dërguan në bodrumin e godinës së qeverisë në Beograd. Kriçaku dyshohet se ka drejtuar personalisht operacionin, ka goditur një studente dhe e ka kërcënuar me përdhunim. Prokuroria e akuzon për keqtrajtim dhe intimidim të protestuesve paqësorë.

 

Arrestimi i tij vjen pas muajsh tensionesh dhe protestash studentore në Serbi, ku dhuna ndaj demonstruesve ka qenë një nga çështjet më të debatueshme. Kriçaku konsiderohej një nga njerëzit e afërt të Aleksandar Vuçiçit në radhët e policisë, ndërsa arrestimi i tij shihet si një zhvillim i rëndësishëm në një moment kur opozita e mbështetur nga studentët ka fituar shumicën parlamentare.


Khamenei kërcënon SHBA-në dhe Izraelin: Çdo sulm ndaj Iranit do të marrë përgjigje pa kufij gjeografikë

 

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke deklaruar se çdo kërcënim ndaj Teheranit do të përballet me një kundërpërgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme, pavarësisht vendndodhjes së objektivave. Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të larta, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi po shqyrtojnë mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit.

 

Sipas agjencisë shtetërore IRNA, Khamenei zhvilloi të shtunën një takim me komandantët e lartë ushtarakë, të cilëve u kërkoi të rrisin gatishmërinë për një përballje të mundshme. Ai udhëzoi gjithashtu përditësimin e listës së objektivave amerikane dhe izraelite, duke përfshirë të gjitha llojet e aseteve fizike dhe jofizike. Udhëheqësi iranian theksoi se, në rast të një konflikti të ri, do të jetë vetë Irani ai që do të përcaktojë kohën dhe kushtet e përfundimit të tij. 

 

Paralelisht me retorikën e ashpër ushtarake, nga Teherani po vijnë edhe sinjale për përparim në përpjekjet diplomatike me Uashingtonin, të ndërmjetësuara nga Katari. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani mund të pranojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, nëse arrihet një marrëveshje për këtë çështje. Ai i cilësoi gjithashtu përpjekjet amerikane për të hapur rrugën e dialogut si një zhvillim pozitiv, megjithëse sqaroi se për momentin nuk ka plane për bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e SHBA-së. 

 

Ndërkohë, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, konfirmoi se kishte marrë një letër nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, me propozime për rifillimin e negociatave. Rezaei e cilësoi ndryshimin e tonit të komunikimit amerikan si një shenjë pozitive, por paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj Iranit do të pasohej nga “goditje shkatërruese” ndaj agresorit, duke përdorur armë të reja. 

 

Një nga pikat kryesore të negociatave mbetet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e rëndësishme e furnizimit botëror me naftë. Teherani këmbëngul që lëvizja e anijeve në këtë rrugë ujore të bëhet sipas një korridori të dakordësuar me Omanin dhe nën menaxhimin iranian. Kërkesa për kontrollin e kalimit detar mbetet një prej çështjeve më të ndjeshme në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin. 

XS
SM
MD
LG