Lidhje


Agron Shehaj nuk e lë në baltë Veliajn, reagon ashpër për transferimin e tij në burgun e Fierit

 

Në politikën shqiptare, miqësitë e vërteta janë të rralla, por kur gjenden, duhen vlerësuar. Sidomos kur një mik përballet me ditë të vështira dhe tjetri shfaqet publikisht për t’i dhënë zemër. Këtë shembull fisnikërie politike po na e ofron Agron Shehaj, i cili nuk e ka harruar Erion Veliajn pikërisht në një nga momentet më delikate të karrierës së tij.

 

Pas transferimit të kryebashkiakut të Tiranës nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, Shehaj ka dalë në mbrojtje të tij, duke komentuar pretendimin e Veliajt se ishte “rrëmbyer nga policia”. Një gjest që tregon se, pavarësisht zhvillimeve të viteve të fundit, disa lidhje politike nuk këputen lehtë. Madje, duket se forcohen pikërisht kur kamerat janë ndezur.

 

Por Agroni nuk ndalet te solidariteti. Ai e ka kthyer këtë rast edhe në një mundësi për t’i kujtuar publikut se, sipas tij, pushteti i Edi Ramës po shkërmoqet. Shehaj pret që Veliaj të tregojë “zullumet” dhe që kryeministri të përfundojë para drejtësisë. Pra, përtej shqetësimit për transferimin, duket se kemi edhe një pritshmëri të madhe për rrëfimin që mund të vijë nga burgu. Një mik që jo vetëm të qëndron pranë, por pret edhe të dëgjojë çfarë ke për të treguar.

 

Dikur, Shehaj dhe Veliaj janë shfaqur bashkë në dalje publike. Sot, njëri është në opozitë, ndërsa tjetri përballet me drejtësinë. Rrethanat kanë ndryshuar, por vëmendja e Shehajt ndaj fatit të kryebashkiakut është sërish aty. Në politikë, kjo quhet qëndrueshmëri; publiku, natyrisht, mund ta interpretojë si të dëshirojë.

 

Sipas Shehajt, transferimi lidhet edhe me mesazhin e Veliajt në mbështetje të protestave studentore në Serbi, të cilin ai e interpreton si një sinjal që prek edhe zhvillimet në Shqipëri. Një shpjegim politik që mbetet pretendim i tij dhe që kërkon më shumë se një video për t’u vërtetuar.

 

Në fund, duhet pranuar se jo çdo ditë sheh një politikan që i del në krah një tjetri në një moment kaq të vështirë. Aq më tepër kur ky solidaritet shoqërohet me pritjen që miku të flasë dhe drejtësia të vazhdojë rrugën e saj. Miqësia është gjë e bukur, sidomos kur vjen me deklarata të forta, kujtime të përbashkëta dhe kamera për ta dokumentuar.


Pastori që e martoi Veliajn me pensionin e mamit e transferoi sot në Fier

 

Një zhvillim i papritur ka ndodhur me lëvizjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pas qëndrimit në paraburgimin e Durrësit, sot është transferuar zyrtarisht drejt burgut të Fierit. Urdhri i transferimit është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, institucion që varet drejtpërdrejt nga Ministria e Drejtësisë.

 

Ironia qëndron në faktin se Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, një figurë e lidhur ngushtë me Veliajn jo vetëm në politikë, por edhe në jetën private e shpirtërore.

Përpara se të ngjiste shkallët e pushtetit politik si zëvendësministër, prefekt, kryetar i Këshillit Bashkiak e tashmë ministër, Toni Gogu njihej në publik si Pastor.

 

Rruga e tij e besimit nisi në moshën 19-vjeçare, në vitin 1991, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Siç ka rrëfyer vetë, ishin një grup vullnetarësh anglezë që i dhuruan një Bibël, duke e shtyrë të përfshihej thellësisht në fenë protestante e më pas t'i bashkohej Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë.

 

Rrethanat e sollën që po ky pastor të celebronte martesën e bujshme të Erion Veliajt me Ajola Xoxën, një ceremoni që bëri bujë të madhe publike për shkak të deklaratave të famshme të kryebashkiakut se e gjithë dasma e tij luksoze në Kalanë e Gjirokastrës ishte mbuluar nga kursimet e pensionit të nënës së tij.

 

Lidhja e hershme mes pastorit dhe Veliajt u pasua nga një ngritje e shpejtë e Gogut në funksione të rëndësishme shtetërore e politike brenda radhëve të mazhorancës.

 

Ironia e fatit e solli që pikërisht pastori që dikur i vendosi kurorën e martesës kryebashkiakut të Tiranës, sot nga zyra e Ministrit të Drejtësisë të firmosë dhe të zbatojë urdhrin për transferimin e tij nga qelitë e paraburgimit të Durrësit drejt burgut të sigurisë në Fier.


Qeveria kalon Aktin Normativ: Fshirje postimesh në rrjete sociale dhe gjoba deri në 500 mijë lekë

 

Qeveria ka miratuar me procedurë urgjente një Akt Normativ me fuqinë e ligjit që ndryshon rrënjësisht rregullat për organizimin e tubimeve në Shqipëri, duke shtrënguar maksimalisht masat ndaj protestuesve dhe organizatorëve.

 

Vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama i jep kompetenca të zgjeruara Policisë së Shtetit për të bllokuar protestat pranë institucioneve, për të larguar persona të caktuar nga zona publike, si dhe për të ndërhyrë deri në rrjetet sociale për fshirjen e mesazheve që konsiderohen me "thirrje për dhunë".

 

Perimetër sigurie deri në 72 orë dhe largim nga zonat e mbrojtura

Sipas ndryshimeve në ligjin nr. 8773 "Për tubimet":

 

  • Ndalim protestash rreth institucioneve: Drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet rreth institucioneve arsimore, shëndetësore apo shtetërore për deri në 72 orë, nëse vlerëson se ka rrezik real për dhunë apo dëmtim prone.

  • Urdhër largimi 48-orësh: Efektivët e policisë marrin të drejtën të nxjerrin urdhër të shkruar largimi (deri në 48 orë) nga stacionet e transportit, aeroportet, shkollat e zonat kulturore për çdo person që ushtron presion, kanosje apo pengon aksesin.

 

Policia kontroll mbi mediat sociale dhe filim të protestave

Një nga pikat më debatuara të aktit normativ është ndërhyrja në komunikimet digjitale:

 
  • Mesazhet në rrjete sociale: Policia e Shtetit, pasi të identifikojë llogaritë ose numrat e telefonit që shpërndajnë thirrje për dhunë, do t'u dërgojë mesazh mbajtësve duke i kërkuar fshirjen e menjëhershme të përmbajtjes. Në rast refuzimi, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore.

  • Regjistrim audiovizual: Çdo paralajmërim për shpërndarje tubimi apo akt dhune do të incizohet me mjetet e policisë dhe do të përdoret si provë ligjore.

 

Fatura e re e penaliteteve: Gjobat "fluturojnë" deri në 500 mijë lekë

Sanksionet financiare për pjesëmarrësit dhe organizatorët janë shumëfishuar:

  • Pjesëmarrja në tubim të ndaluar ose mosbindja: Gjobë nga 10,000 deri në 100,000 lekë.

 

  • Protestuesit me maska/identitet të fshehur: Mosbindja ndaj urdhrit të policisë kur personi ka fytyrën e mbuluar dënohet me gjobë nga 50,000 deri në 500,000 lekë. (Fshehja e identitetit lejohet vetëm për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, përfshirë gazetarët).

  • Bllokimi i rrugëve: Çdo person që merr pjesë në bllokimin e akseve rrugore do të gjobitet me 5,000 lekë për çdo ditë bllokimi.

 

Akti normativ hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimet e policisë për kufizimin e tubimeve mund të ankimohen brenda 48 orëve në Gjykaten Administrative, pa pezulluar zbatimin e tyre.

 


Si u gjunjëzua Rama nga protestat për taksën e naftës, në 2022 betohej: Nuk hiqet sa të jetë kjo qeveri

Gjatë ditëve tensionuara të marsit 2022, kur qytetarët dhe drejtuesit e mjetit mbushën sheshet e rrugët në protestë kundër rritjes stratosferike të çmimeve të karburantit, kërkesa kryesore ishte e qartë: heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës. Por përballë këtij revolti popullor, kryeministri Edi Rama zgjodhi arrogancën dhe prerjen e çdo shprese.

 Më 12 mars 2022, gjatë një daljeje publike, ai u shpreh me tone prerëse:

 

12 MARS 2022


"Taksa e naftës nuk hiqet! S'ka protestë me drita iPhone-i e bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën atë... Sa të jetë këtu kjo qeveri, taksa e naftës nuk hiqet, as me protesta."

Teksa tubimet vazhdonin dhe presioni publik shtohej, Rama iu rikthye sërish çështjes dy ditë më vonë, më 14 mars 2022. 

 

Duke sfiduar hapur qëndresën e qytetarëve, ai e mbylli çdo shteg për negociata me një tjetër betim publik:

 

14 MARS 2022
 "Edhe po të zgjasë protesta deri në vitin 2025, taksa e naftës nuk hiqet! Ajo taksë mban sistemin e infrastrukturës dhe buxhetin e shtetit."

Megjithatë, ajo që dikur shpallej si e pamundur dhe e padiskutueshme "sa të jetë kjo qeveri", sot u bë realitet. Në një kthesë të fortë nga qëndrimet e tij të mëparshme, Rama deklaroi sot ndryshimin e skemës së taksimit, duke u përpjekur ta vishte këtë tërheqje me mantelin e suksesit ekonomik:

 

SOT
 "Një lajm shumë i pritur, që nuk e sjell dëshira e qeverisë, as dëshira ime – se dëshirën e kemi pasur gjithnjë – po e sjell rritja e ekonomisë: Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë."

 

Deklarata e sotme vë përballë dy realitete: betimet e vjetra se taksa e naftës nuk do të hiqej kurrë përballë protestave, dhe vendimin e sotëm që zbaton pikë për pikë atë që qytetarët kërkonin vite më parë.


5 akuza për 15 raste, por Balluku mposht drejtësinë dhe i shpëton burgut

Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministrja që përballet me pesë akuza penale për 15 raste të dyshuara, është paraqitur në SPAK e shoqëruar nga avokati Ardian Kalia, për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve. Pra Balluku sot i shpëtoi burgut. Dosja pritet të kalojë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa publiku pret të shohë nëse drejtësia do të shkojë deri në fund apo do të mjaftohet me procedura, shkresa dhe konferenca. Sepse në Shqipëri, kur bëhet fjalë për qytetarët e zakonshëm, drejtësia shpesh duket e shpejtë në ndëshkim, por kur në skenë dalin emra të rëndësishëm të pushtetit, pritja kthehet në një provë durimi.

 

Akuzat për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe çështje që lidhen me pasurinë janë tepër serioze për t’u trajtuar si një episod i radhës në serialin e pafund të politikës shqiptare. Por pyetja që rëndon mbi institucionet nuk është vetëm sa akuza janë ngritur, por nëse ato do të marrin përgjigje përmes një procesi të drejtë, të pavarur dhe pa standarde të dyfishta. Qytetarët nuk kanë nevojë për spektaklin e dosjeve që kalojnë nga një institucion në tjetrin; kanë nevojë të shohin se ligji nuk njeh tituj, poste, miqësi apo pushtet. Drejtësia nuk matet me numrin e faqeve të një dosjeje, por me guximin për ta çuar atë deri në fund.

 

Dhe ja ku vjen pyetja që nuk shuhet, po burgu për Belinda Ballukun, apo edhe kjo çështje do të bëhet një tjetër maratonë juridike pa fund? Askush nuk mund të shpallë fajtor një person pa një vendim gjyqësor, por askush nuk mund t’i kërkojë as publikut të duartrokasë vetëm sepse hetimet po mbyllen. SPAK-u duhet të provojë akuzat, gjykata të vendosë mbi provat dhe drejtësia të tregojë se është e barabartë për të gjithë. Sepse nëse ligji është i fortë vetëm për të dobëtit dhe i kujdesshëm deri në pafundësi për të pushtetshmit, atëherë problemi nuk është vetëm te një dosje, por te besimi i një shoqërie të tërë. Në fund, qytetarët nuk kërkojnë spektakël me pranga, por drejtësi pa imunitet nga përgjegjësia.

 

XS
SM
MD
LG