Ndërtuesit në panik? Interneti përmbytet nga lajme të sponsorizuara për “rritjen e çmimeve”
Nëse keni lundruar në rrjetet sociale apo portalet e lajmeve këto ditë, me siguri ju ka rënë në sy një titull që përsëritet si refren: “Çmimet e apartamenteve do të rriten me 20%”. Artikuj të tillë, të publikuar në mënyrë masive dhe të sponsorizuar në Facebook e Instagram, përpiqen të bindin qytetarët se duhet të blejnë tani, sepse nesër do të jetë vonë.
Por, sapo i hap këto lajme, kupton se baza ekonomike mungon plotësisht. Nuk ka analiza financiare, nuk ka të dhëna mbi kërkesë-ofertën, nuk ka asnjë raport të bankave apo institucioneve të pavarura që mbështet një rritje të tillë. Në vend të argumenteve, kemi intervista me disa ndërtues dhe agjentë imobiliarë anonimë që, çuditërisht, konfirmojnë të gjithë njëzëri se çmimet do rriten. Pyetja që lind natyrshëm është: A po na paralajmërojnë apo po përpiqen të na shesin?