Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj padit shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut!
Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tyre gjatë kontrolleve të ushtruara më 9 mars 2023 në banesën e tyre dhe në telefonin e Hoxhës. Ata argumentojnë se kontrollet ishin të paligjshme, pasi në atë kohë Ahmetaj ishte ende deputet dhe, sipas Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratimin paraprak të Parlamentit.
Në kërkesën e depozituar në Strasburg, ankuesit pretendojnë shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton respektimin e jetës private dhe banesës, si dhe mungesë të një mjeti efektiv juridik për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, në kundërshtim me nenin 13 të Konventës. Gjykata Evropiane ka kërkuar nga qeveria shqiptare të sqarojë nëse vendimi për kontrollin ishte në përputhje me Kushtetutën dhe nëse ekzistojnë mjete të mjaftueshme procedurale për ta kundërshtuar atë.