Për ty miku/mikja ime ateiste 2

Nga Alban Gorishti
....Dyshime në krijim.....
Kurani e përmend njeriun duke hequr dy paralele midis atributeve të tij, e para e tyre është se ai tregon për të shumë dobësi si psh : “u krijua nga një pikë ujë”, “iu bë haptazi armik” Zotit , ai është “është shumë i nxituar” , i cili “pandeh se do të lihet në kokë të vet” , i cili “është shumë i padrejtë, mizor dhe injorant” , i cili “përkëdhelet dhe tregohet mosmirënjohës ndaj të mirave” sepse “është krijuar me dobësi” etj. Shumica e njerëzve e kalojnë tërë jetën në këtë botë që është univers prove, nën sundimin e “nefsit” që është emërtimi i përbashkët i këtyre dobësive dhe i të tjerave si këto.