A po bëhet xhamia dhe Kurani streha e fundit e çdo devijanti manipulues, e çdo mendjelehti të paaftë apo e ndonjë maskarai përfitues?

Nga Alban Gorishti
Një mori ndodhish kanë marrë vëmendje këto kohët e fundit, feneomene që edhe pse problematike nuk janë pjesë e befasive të cilat as nuk i paramendonim dot dhe as nuk prisnim që të shfaqeshin si shëmbëlltyrë e shenjave negative të një shoqërie regresiste (moralisht flas). Filozofi i njohur Frensis Bejkon pati pohuar dikur një realitet intelektiv nëpërmjet të cilit kuptojmë shumëçka, dimensionet e të cilave para se të manifestohen në botën e dukshme intensifikohen fillimisht në atë të brendëshmen, ai pati thënë: “Idetë e lindura janë të brendashkruara në vetë natyrën e intelektit, i cili është shumë më i prirë drejt gabimit sesa ç’është arsyeja....ashtu sikurse një pasqyrë e pasheshuar shpërfytyron rrezet e objekteve sipas prerjes së saj, kështu edhe mendja, kur merr mbresat e objekteve përmes shqisave, nuk mund të besohet se i raporton ato besnikërisht, por në formimin e nocioneve përzien natyrën e saj me natyrën e gjërave”.