Kapele ose burg – Ligji i “çuditshëm” i Ahmet Zogut
Përgatiti : Samuel Laze
Ka disa kryetarë familjesh të cilët në shtëpinë tyre “bëjnë ligjin”, demonstrojnë autoritetin e tyre pranë grave, fëmijëve dhe atyre që kanë nën vete. Duan të tregojnë se janë “burra” dhe për këtë arsye nuk lejojnë t’ju vihet fjala në diskutim, ndërsa përjashta rrinë me duar të lidhura e nuk bëjnë as gëk as mëk... Të tilla janë edhe regjimet që kapriçot e komplekset e tyre i vendosin si kriter kombëtar ndërsa me të huajit –qoftë nga interesi qoftë nga frika – kalojnë në versionin “lepe-peqe”...
***
Shekulli XX shënon pikën kulminante të ndryshimeve radikale në strukturën shoqërore, mentalitetin dhe botëkuptimin shqiptar. Megjithatë, ndryshimi i rrjedhës kombëtare nuk erdhi si një rezultat i përvetësimit të natyrshëm por duke vënë në përdorim kamxhikun e politikës. Goditjet e këtij kamxhiku politik do të shpeshtoheshin (intensifikoheshin) në mënyrë të posaçme gjatë regjimit të Ahmet Zogut.