2019, një vit i hidhur për Shqipërinë

2019-a la një shije të hidhur për vendin. Viti nisi me një konflikt në rritje politik që shpërtheu në protesta shpesh të dhunshme të opozitës, e cila në një akt të paprecedent dogji mandatet parlamentare dhe bojkotoi zgjedhjet vendore, në një përpjekje ekstreme për largimin e kryeministrit. Vendi nuk arriti të merrte as hapjen e premtuar të bisedimeve për anëtarësim në BE. Ndërsa në fund të muajit Nëntor, një tërmet i fortë i dha një goditje shkatërrimtare disa qyteteve duke shkaktuar 51 viktima dhe dëme kolosale. Tërmeti nxori në pah shumë probleme, para të cilave përgjatë gjithë këtyre viteve janë mbyllur sytë; babëzinë me ndërtime pa kriter, abuzimet me lejet dhe shkeljet pafund të toleruara nga institucionet, analizon “Zëri i Amerikës”.

Tërmeti i 26 Nëntorit

Ora shënon 3.54 e mëngjesit. Të forta për nga intensiteti, me një magnitudë 6.4 dhe të shtrira në më shumë se 40 sekonda, lëkundjet, me epiqendër në Durrës, trondisin si kurrë më parë Shqipërinë në 40 vitet e fundit. Frika dhe paniku mbizotërojnë kudo. Me kalimin e orëve do të mësohet se përmasat janë dramatike. Në Thumanë, dy pallate janë rrëzuar, në Durrës, tre hotele, dy pallate, ndërsa një vilë tre katëshe në zonën e Kënetës, arrin të qëndrojë në këmbë, e anuar, për disa orë, derisa shembet. Brenda saj një familje e tërë në një grackë vdekjeprurëse.

Ngado është një betejë kundër kohës për të shpëtuar nga rrënojat sa më shumë jetë. Të varfëra në mjete e pajisje, njësitë e ushtrisë dhe zjarrfikëseve shqiptare përpiqen për të pamundurën. Brenda ditës atyre u vijnë në ndihmë forca të specializuara nga Italia, Rumania, Kosova e në ditët në vazhdim dhe nga vende të tjera. Në spitalet e Tiranës dhe Durrësit dynden të plagosur pa fund.

Të nesërmen shpallet gjendja e Jashtëzakonshme “në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejtë e ku plagët janë të hapura, Tiranës dhe Durrësit”, shpjegon kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë të nesërmen në mëngjes.

Bilanci i viktimave sa vjen e thellohet. Disa dhjetra persona arrijnë të nxirren të gjallë. Pas katër ditësh, kërkimet ndërpriten. 51 persona humbën jetën. Dita ditës rritet dhe bilanci i dëmeve, ndërsa paslëkundje të tjera, shpesh të forta, mbajnë gjallë frikën dhe panikun. Me mijëra sistemohen nëpër çadra, për të tjerë vihen në dispozicion hotelet. Numri i të prekurve është i lartë.

Komisioni europian ofron një mbështeje të parë prej 15 milion eurosh (4 Dhjetor). Në total janë afër 70 milion dollarë ndihmat e grumbulluara. Në buxhetin e 2020 parashikohen afro dhe 130 milion të tjera. Në Janar, Komisioni europian pritet të organizojë një konferencë donatorësh dhe premton mbështetje për fazën e rindërtimit. “Komisioni europian është tanimë në kontakt me Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore për përgatitjen e vlerësimit të nevojave”, deklaroi Komisioneri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ndërsa vizitoi më 5 Dhjetor, një kamp të ngritur në Vorë për të strehuar familjet e dëmtuara. Deri në ditët e fundit të dhjetorit, nuk ka ende një bilanc të dëmeve.

Qeveria ka në program ndërtimin e disa lagjeve të reja, për strehimin e banorëve të prekur. Opozita e angazhuar që në momentet e para pranë zonave të goditura, me kalimin e javëve flet për një situatë të rënduar. “Gjendja e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës”, deklaron në mënyrë të përsëritur kryetari demokrat Lulzim Basha, pas vizitave në zonat e goditura.

Tërmeti nxjerr në pah shumë probleme, para të cilave përgjatë gjithë këtyre viteve, janë mbyllur sytë; babëzinë me ndërtime pa kriter, abuzimet me lejet, dhe shkeljet pafund të toleruara nga institucionet.

Prokuroritë e Tiranës, Durrësit dhe Krujës nisin hetimet. Shumë shpejt 9 persona arrestohen ndërsa 8 të tjerë shpallen në kërkim. Bëhet fjalë për ndërtuesë, ish zyrtarë e nëpunës të administratës lokale, apo dhe mbikqyrës e kolaudues të punimeve të cilët dyshohet të kenë vepruar në shkelje të ligjeve. Akuzat ndaj tyre janë nga shpërdorimi i detyrës deri te ajo e vrasjes. Nëse hetimeve do t’u shkohet deri në fund, atëherë me gjasë ato do të mund të çojnë larg.